Sport

Pamje nga paraqitja fantastike e Zhegrovës ndaj Luzernit (VIDEO)

Edon Zhegrova nuk shënoi gol e as nuk bëri asist në ndeshjen e mbrëmshme të Baselit kundër Luzernit, megjithatë ai ishte mjaft mbresëlënës me paraqitjen e tij.

Luzerni bëri një hap prapa në përpjekje për t’u kualifikuar në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm, pasi u mposht 3:2 nga Baseli në një ndeshje ku shkëlqeu dyshja sulmuese e Kosovës, Shkelqim Demhasaj dhe Edon Zhegrova.

Edon Zhegrova, i cili e bëri vetëm paraqitjen e tij të tretë si titullar për Baselin që prej transferimit të tij nga Genku në fillim të shkurtit, pati një paraqitje mbresëlënëse dhe luajti 90 minuta të plotë.

Anësori i ekipit kombëtar të Kosovës pati rol në golin e tretë të Baselit, i shënuar nga sulmuesi shqiptar i Zvicrës, Albian Ajeti.

22-vjeçari dështoi ta gjejë golin e tij të parë në fanellën e skuadrës ku është i huazuar edhe pse ishte shumë pranë në disa raste, por performanca e tij e përgjithshme ishte tejet e mirë.