Sport

Momenti kur Messi e fiton Këpucën e Artë për herë të gjashtë (VIDEO)

Lionel Messi e ka thyer rekordin duke e fituar Këpucën e Artë për herë të gjashtë në karrierë, për herë të tretë radhazi, përderisa rivali i tij Cristiano Ronaldo e ka fituar këtë çmim katër herë.

Me Këpucën e Artë shpërblehet çdo sezon futbollisti me më së shumti gola të shënuar në top ligat e Evropës dhe të mërkurën, në Barcelonë, argjentinasi Lionel Messi e fitoi këtë çmim për herë të gjashtë në karrierë.

Ylli dhe kapiteni i Barcelonës i shënoi 36 gola në vetëm 34 ndeshje të zhvilluara në shtëpi gjatë sezonit 2018/19 – gjithsej 51 gola në 50 ndeshje në të gjitha garat – përderisa katalonasit arritën ta fitojnë titullin e La Ligës.

Argjentinasi e mbylli sezonin e kaluar me tri gola më shumë sesa Kylian Mbappe i Paris Saint-Germainit dhe arriti ta fitojë këtë çmim për të tretën herë radhazi, përderisa bashkëlojtari i tij Luis Suarez e kishte fituar atë në sezonin 2015/16.

Messi e fitoi këtë çmim për herë të parë në sezonin 2009/10 dhe tani ka arritur t’i grumbullojë dy më shumë sesa Ronaldo.

Messi do të shpresojë se do të vazhdojë të triumfojë në garën për çmimet individuale edhe më tutje këtë sezon, pasi që në fund të vitit jepet çmimi prestigjioz “Topi i Artë”, që i jepet lojtarit më të mirë të vitit.

Përderisa Lionel Messi e ka fituar këtë vit çmimin për lojtarin më të mirë të vitit nga FIFA, Virgil Van Dijku e fitoi këtë çmim nga UEFA. Për këtë arsye, kjo dyshe dhe Cristiano Ronaldo janë në garë të zjarrtë për ta marrë “Topin e Artë” në fund të vitit.

Për Messin, që tani i ka dy Këpuca të Arta më shumë sesa Ronaldo, Topi i Artë i këtij viti do të ishte gjithashtu i gjashti dhe ai do ta linte prapa vetes Ronaldos, i cili gjithashtu aktualisht i ka pesë të tillë.