Sport

Fury dhuron spektakël edhe pas duelit, këndon super hitin në Ring (VIDEO)

Boksieri britaniuk Tyson Fury ka dhuruar dy herë spektakël mëngjesin e sotëm në Las Vegas. Fillimisht ai mundi me “KO teknik” në raundin e dytë rivalin gjerman Tom Schwarz, në duelin e vlefshëm për peshën e rëndë.

Më pas, gjatë intervistës, britaniku ka marrë mikrofonin dhe ka kënduar në ring këngën e grupit Aerosmith “I don’t want to miss a thing”, kolona zanore e filmit “Armagedon”. Këtë këngë ai ia dedikoi bashkëshortes së tij, e cila u ngjit në ring pas duelit.

Kjo është hera e dytë që Fury bën këtë gjest, teksa ka kënduar këtë këngë edhe kur mposhti Wladimir Klitschko dhe u shpall kampion bote.

Kjo ishte sfida e parë e Fury në Las Vegas, qytetin e basteve dhe boksit, aty ku britaniku, 28 fitore e 1 barazim në karrierë, bëri një paraqitje të shkëlqyer. Tifozët amerikanë e duartrokitën Fury, si për fitoren ashtu dhe për interpretimin e tij si këngëtar.