Sport

Feronikeli mëson dy kundërshtarët e mundshëm të Ligës së Kampionëve

Feronikeli është kampioni i ri i Kosovës për edicionin 2018/19, pasi e ka mbyllur kampionatin me 80 pikë, pesë më shumë se Prishtina.

Kësisoj skuadra nga Drenasi do të marrë pjesë në ndeshjet para kualifikuese të Ligës së Kampionëve.

Këtë edicion ndeshjet para kualifikuese në Ligën e Kampionëve do të mbahet në Kosovë, më saktësisht në stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet.

Tanimë Feronikeli i di dy kundërshtarët e mundshëm dhe është në pritje të kundërshtarit të tretë.

Kampionët e Gjibraltarit, Lincoln Red si dhe kampionët e Andorrës Santa Coloma do të jenë kundërshtarët e mundshëm të Niklit.

Emri i skuadrës së katërt që do të marrë pjesë në ndeshjet para kualifikuese në Ligën e Kampionëve do të bëhet i ditur vetëm pas përfundimit të ‘Play-Off’-it në San Marino, ku janë dy skuadra finaliste La Fiorita dhe Tre Penne.

Në raundin para kualifikues skuadrat ndahen në dy vazo, më pas luhen ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja.

Fituesi do të luaj në rrethin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, ndërsa humbësit do të luajë në raundin e dytë kualifikues në Ligën e Evropës.

Këto ndeshje para kualifikuese do të luhen nga datat 20 deri 27 qershor.