Sport

Endri Çekiçi ‘bombardon’ portën e kundërshtarit nga 25 metra (VIDE)

Nga një supergol te një tjetër gol spektakolar. Endri Çekiçi vazhdon të shënojë në kampionatin slloven.

Mesfushori pogradecar gjeti golin e 4-t sezonal këtë mesjavë në transfertën ndaj Domzales, sfidë të cilën Olimpija e Ljubljanës e fitoi me rezultatin e thellë 1-4.

Në minutën e 32-të kur rezultati ishte i mbërthyer në barazim 1-1, Çekiçi nxorri një perlë nga repertori i tij duke kaluar në epërsi skuadrën kryeqytetase. Me një predhë nga një distancë e largët prej 25 metrash, 22-vjeçari la të shtangur portierin e Domzales.

Deri në fund Olimpija shënoi edhe dy herë të tjera duke ruajtur vendin e parë edhe pas javës së 11-të tashmë në kuotën e 24 pikëve.

Me këto dy gola të realizuar në vetëm pak ditë njëri më i bukur se tjetri, Endri Çekiçi i dha një tjetër sinjal trajnerit të kombëtares shqiptare Edy Reja si për t’i thënë se është gati të tregojë veten edhe me fanellën e kuqezinjëve.