Lajme

E pranon Ramush Haradinaj: Politika edhe unë i kemi fajet që qytetarët po ikin nga Kosova

Punësimet partiake të bëra nëpër institucione e që së fundmi po bëhen publike e flasin për një numër të madh të njerëzve të afërt me pushtetin që janë “rehatuar” nëpër disa ndërmarrje, u komentuan pas mbledhjes së Qeverisë nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Madje, ai u deklarua se politika e vetë Haradinajt është fajtor për ikjen e njerëzve nga vendi, raporton Gazeta Express.

Sipas tij, edhe pse partia në të cilën udhëheq ka besim 10 për qind te qytetarët, Haradinaj po thotë se në institucione AAK-ja nuk përfaqëson as 1 për qind.

Mirëpo, i pari i ekzekutivit ka shtuar se e mirëpret kritikën që mori nga ambasadori amerikan për punësime politike.

Për këtë nuk e la pa ua përcjellë edhe një mesazh partive të tjera. “Veç nuk është mirë me na shitë moral këta të tjerët që e kanë pru gjendjen deri këtu”, deklaroi Haradinaj.

Gjithashtu, u shpreh se është kundër abuzimeve duke thënë se njerëzit më të diskriminuar janë nga AAK-ja.

“Jam kundër këtyre abuzimeve edhe prej familjarëve të mi, edhe prej Aleancës, por njerëzit ma të diskriminuar kanë qenë njerëzit e AAK-së”, thotë Haradinaj.

Tutje, Haradinaj po thotë se për ikjen e qytetarëve nga vendi fajet i ka ai vetë por edhe politika.

“Politika i ka fajet edhe unë i kam fajet që qytetarët po ikin nga vendi”, është deklaruar Haradinaj.

Në fund, kryeminsitri u shpreh se udhëheq një qeveri heterogjene ku ka njerëz që vendosin në emër të sistemit.