Lajme

Braktisja e fëmijëve në Kosovë shënon rritje

Braktisja e fëmijëve në Kosovë ka shënuar ngritje këtë vit në krahasim me vitin paraprak.

Punëtorët socialë thonë se ndër arsyet që i shtyjnë prindërit t’i braktisin fëmijët e tyre është gjendja e rëndë ekonomike në Kosovë.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti në vendin tonë janë braktisur 16 fëmijë të porsalindur.

Lutfi Bislimi, zyrtar për strehim familjar dhe kujdestari të fëmijëve pa kujdes prindëror në Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha për Radio Kosovën se bazuar në të dhënat nga vitet paraprake, këtë vit ka rritje të numrit të fëmijëve të braktisur.

Gjendja e rëndë ekonomike është ajo që ndikon në braktisjen e fëmijëve. “Kemi arsye të shumta që prindërit i deklarojnë në braktisjen e fëmijëve të tyre, por me të shpeshta janë gjendja e rëndë socio-ekonomike, pastaj shtazanit e padëshiruara dhe të paplanifikuara, dhe mungesa e vullnetit të partnerit për të marrë përgjegjësi për një fëmijë jashtë martesor ose pas ndarjes së një çifti, këto janë nder arsyet që prindërit i shtyjnë t’i braktisin fëmijët e tyre”, ka thënë Hamza-Geci.

Edhe Besnik Peci, udhëheqës i kujdesit alternativ në “SOS Fshatrat e Fëmijëve”, tha se në krahasim me vitin e kaluar këtë vit kanë ngritje të numrit të fëmijëve të braktisur e që janë vendosur në “Sos Fshat”.