Sport

Apeli i UEFA-s refuzon ankesën e malazezëve për ndeshjen Mali i Zi-Kosovë

Komisioni i Ankesave të UEFA-s ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë të Komisionit Disiplinor.

Komisioni i Ankesave të UEFA-s, në një seancë të mbajtur më 21 maj, shqyrtoi ankesën e Federatës së Futbollit të Malit të Zi në vendimin e shkallës së parë të Komisionit Disiplinor lidhur me sjelljen e keqe të tifozëve në raundin e dytë të kualifikimeve për kampionatin evropian të vitit 2020 ndërmjet Malit të Zi dhe Anglisë.

Komisioni i Ankesave konfirmoi vendimin e shkallës së parë, me të cilin FSCG u dënua me një ndeshje pa praninë e publikut dhe 20 mijë euro për shkak të ngjarjeve në ndeshjen me Anglinë.

E gjithë kjo pasi që një grup e fansave malazez kishin bërë thirrje raciste në drejtim të futbollistit të kombëtares angleze, Raheem Sterling.

Rreth i tretë i kualifikimeve për UEFA EURO 2020 në mes të Malit të Zi dhe Kosovës, i cili është planifikuar që të zhvillohet më 7 qershor, do të luhet në stadiumin bosh të qytetit të Podgoricës.

Ndryshe, Kosova zë pozitën e tretë të renditjes tabelore me një pikë të grupit A, ku edhe malazezët kanë po aq pikë në vendin e katërt, por me një ndeshje më shumë se përfaqësuesja jonë.