Sport

Albian Ajeti pritet ta kompletojë transferimin e tij gjatë 24 orëve e ardhshme në Premier League

“Një tjetër prurje së shpejti në West Ham: Albian Ajeti, sulmues i Baselit, pritet ta kompletojë transferimin e tij gjatë 24 deri në 36 orët e ardhshme”, shkruan gazetari Dominic King në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.

Shuma për të cilën pritet të transferohet Ajeti është 7 ose 8 milionë funte, apo 7.5 deri në 8.6 milionë euro. Ai shihet si opsion i dytë fillimisht, mirëpo mund t’u bëjë konkurrencë edhe lojtarëve të rregullt në formacionin e parë.

Ajeti e ka nisur edhe sezonin e ri, 2019/20, në formë të mirë. Ai, me Baselin, deri më tani i ka zhvilluar tri ndeshje, në të cilat ka kontribuar me dy gola dhe dy asiste. Dy nga këto ndeshje ishin në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, ndërsa njëra në kuadër të Super Ligës zvicerane.

Transfermarkt e vlerëson Ajetin me 7 milionë euro dhe vlera e tij vetëm ka vazhduar të rritet që kur u transferua nga St. Gallen në Basel, në tetor të vitit 2017, për 1.5 milionë euro.